Për të parën herë, Shëngjini përjetoi magjinë e tingujve të muzikës elektronike, për tre netë me radhë. Mbi 70 artistë të njohur, rreth 8 mijë mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, shijuan madhështinë e festivalit UNUM.

Në tri skena performuan 75 artistë, ndërkombetarë e lokal, artistë të shtëpive të mëdha muzikore. Emrat e mëdhenj si Luciano, Joseph Capriati, Ricardo Villalobos, Raresh, Petre Inspirescu, luajtën më shumë se që ishte e planifikuar.

Jehona e festivalit u shpërnda kudo në Evropë, madje edhe në vendet e largëta si Ukraina e Gjeorgjia. Grupe të mëdha kishin ardhur nga Italia, Gjermania dhe Anglia.

Në skenën e pishave muzika nuk u ndalë prej ditës së premte kur filloi deri të dielën dhe cdo moment e çdo performancë u përcoll nga fotografë të njohur si Luca Dea, Anne Marine, Valeriu dhe Troi.

Organizatorët kanë bërë të ditur se festivali do të vazhdoj dhe në javët e ardhshme do të bëhet edhe lajmërimi për fazën e parë të biletave. Ngjarja u zhvillua nën mbështetjen e plotë të Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë, autoriteteve lokale dhe ambasadës britaneze e zvicerane. Madje, të dielën, në mjediset e festivalit u organizua edhe një konferencë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrin e Turizmit, Blendi Klosi.