Partia Demokratike e Kosovës dje përfundimisht ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë.

Më shumë se gjysma e emrave që pretendojnë të bëhen deputetë, janë të rinj.

Në mesin e tyre është edhe Ariana Musliu-Shoshi.

Ajo ka diplomuar në Universitetin e Oxfordit, ndërsa përmes një shkrimi të gjatë në profilin e saj në Facebook i ka treguar arsyet e kandidimit dhe sfidat për të cilat është e gatshme në detyrën e re.

“Kisha fatin të rritem në një familje atdhedashëse e të shkollohem në njërin ndër Universitetet më të mirë në botë, atë të Oxfordit në Angli dhe të kthehem e kontribuoj për vendin tim, këtu ku kam krijuar familjen time”.

Musliu-Shoshi thotë se tashmë vetes ia kë vënë një synim.

“Sot, si nënë, qëllimi që i kam vënë vetes është që, me tërë kapacitetin tim njerëzor dhe intelektual, të punojë që fëmijët tanë të rriten në një shtet ku ofron arsim dhe zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen e tyre”, ka shkruar Musliu-Shoshi në Facebook.

“Sfidat deri më sot i kam kaluar me vullnet e ndihmë të familjes dhe miqve, ndërsa tani ka ardhur koha të kërkoj nga Ju që bashkë, të më ndihmoni në misionin e radhës: Duke më votuar si deputete në këto zgjedhje parlamentare”!

Ajo thotë se bashkë me partinë e saj “do të mbarojmë atë që kemi filluar: Krijimin e një shteti modern e të zhvilluar, ku fëmijët tanë shohin të ardhme e ku ata janë pjesë e Europës”.