Ministri i tregtisë së jashtme dhe marrëdhënieve ekonomike të Bosnjës dhe Hercegovinës Mirko Sharoviq ka thënë se BeH nuk do të fusë kundërmasa për Prishtinën për shkak të vendosjes së taksave prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Bosnjës dhe Hercegovinës, mirëpo Këshilli i Ministrave do të kërkojë nga Kosova shfuqizimin e këtyre masave.

“Këshilli i Ministrave i ka miratuar dy vendime. I pari ka të bëjë me vendimin e palës kosovare i cili është në kundërshtim me CEFTA-n dhe kërkon nga Kosova që këto masa menjëherë të shfuqizohen”, ka thënë Sharoviq, transmeton klix.ba.

Gjithashtu kërkon nga Komisioni Evropian të kyçet në këtë problem i cili kërcënon ta çrregullojë zonën e lirë të tregtisë CEFTA dhe që të kërkojë nga Prishtina shfuqizimin e këtyre masave, ka thënë Sharoviq.

Siç ka thënë, Bosnja dhe Hercegovina me asnjë veprim ekonomik nuk ka shkaktuar një reagim të tillë të Kosovës dhe nuk është informuar e as konsultuar për marrje të këtij vendimi.

Ai ka theksuar se veprimi i Kosovës është “shkelja më e rënd e marrëveshjes CEFTA në 12 vjetët e fundit”.

“CEFTA është tani absolutisht e tronditur dhe shtrohet pyetja e statusit të kësaj marrëveshjeje. Ajo mund të vihet në pikëpyetje nëse kjo çështje nuk zgjidhet”, ka përfunduar Sharoviq