Deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, ka thënë se klasës politike në Kosovë i duhet një unitet në raport me Serbinë.

Demaliaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Kosova ka një politikë të jashtme të integruar, por dështimi për anëtarësim në INTERPOL ka qenë çështje gjeopolitike.

Ai tha se me refuzimin e Kosovës ka humbur INTERPOL-i , e jo ne.

“INTERPOL-i ka pranuar shtete që menaxhimin e kufirit e bëjnë me gomarë, ndërsa policët tanë janë ‘spartanë’ të shekullit XXI”, tha ai.

Deputeti i AAK-së duke folur për taksën ndaj mallrave serbe, ka thënë se Serbia nuk mund të luajë më me Kosovën.

“Bashkësia ndërkombëtare u mundua të afrojë shqiptarët dhe serbët, por u pa se Serbia ka qëllime armiqësore ndaj Kosovës dhe ky afrim nuk mund të ndodhë”, tha ai.

Demaliaj thotë se nga nesër Kosova mund të vendos masa të reja ndaj Serbisë.

“Mendoj që nga nesër, ky sovran dhe kjo Qeveri do t’i shtojë masat ndaj Serbisë. Ka shumë masa tjera, por ato do t’i shohim në ditën e nesërme”, tha Demaliaj.