Drejtori i Inspekcionit të Prishtinës, Adonis Tahiri ka folur rreth shembjes së një pllake të një ndërtese që ka qenë duke u ndërtuar në Zonën Industriale në Fushë Kosovë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka shkruar se kompanisë i është ndërprerë puna derisa të sjellë në drejtori raportin e stabilitetit të ndërtesës, shkruan Gazeta Insajderi.

“Inspektori i zonës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe e ka konstatuar se në proces të betonimit, është shembur një pjesë e pllakës së katit të parë. Me procesverbal, pala është obliguar që menjëherë ta sigurojë vendpunishten dhe hapësirën përreth duke i larguar pjesët e dëmtuara. Gjithashtu, pala nuk mund të vazhdojë me punët sipas lejes ndërtimore, pa e sjellë në Drejtorinë e Inspekcionit raportin e stabilitetit të ndërtesës”, ka shkruar Tahiri.

Tutje Tahiri ka treguar se “Procesverbali me konstatimin dhe masat e ndërmarra është përcjellë në Urbanizëm për masa shtesë, si dhe në Policinë e Kosovës tek hetuesit e rastit”.

Gjatë natës së mbrëmshme Gazeta Insajderi ka raportuar lidhur me rastin, me ç’rast zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti kishte konfirmuar rastin se rasti kishte ndodhur rreth orës 20:30.

“Rreth orës 20:30 kemi pranuar informatën se në rrugën “Elez Berisha” në zonën industriale në  Fushë Kosovë, është shembur një pllakë  nga një ndërtesë e cila  është në ndërtim e sipër”, ka thënë ajo.

Sipas forcave të rendit, në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore.

“Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për persona të lënduar. Lidhur me këtë ngjarje janë njoftuar institucionet kompetente”, kishte thënë Ahmeti.