Valdrin Lluka edhe për pak kohë do të jetë ministër në detyrë i Zhvillimit Ekonomik.

Por tashmë duket se ministri në largim e ka një prioritet tjetër, të bëhet deputet, shkruan Insajderi.

Ai ka treguar se do të jetë kandidat për deputet i koalicionit AKR-NISMA në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

“Kërkoj besimin dhe mbështetjen tuaj për të avancuar e përparuar Republikën – për zhvillim dhe mirëqenie siç na u kërkohet dhe siç jemi zotuar kohë më parë kur Kosovën e shpallëm shtet”, shkruan Lluka në profilin e tij në Facebook.

Përmes këtij posti ai synon t’i vazhdojë punët e nisura dhe synon ndryshime në ekonomi, rini, arsimi, shëndetësi.

“Sot, në prag zgjedhjesh të një legjislature të re, e cila do të jetë vendimtare për të ardhmen e Republikës së Kosovës, kërkoj besimin tuaj për të vazhduar rrugëtimin për ndryshimin e nevojshëm që na pret – për rininë duke i edukuar e krijuar vende pune e perspektivë, për fëmijët tanë për arsim cilësor e konkurrues me vendet e zhvilluara të botës, për kujdes shëndetësor të avancuar dhe kualitativ dhe për fuqizim ekonomik të vendit”.