Nëntë vite më parë Isa Mustafa “tradhtoi” mikun e tij Fatmir Sejdiu duke ja marrë postin e kreut të LDK-së edhe pse gjatë gjithë kohës theksonte se nuk do t’i dalë përballë. Ndërsa zgjedhjet e brendshme në LDK do mbahen sivjet ku do zgjedhën organet e reja drejtuese, Mustafa i cili fatmirësisht la pas një sëmundje me të cilën “luftoi” një vit, sërish po vazhdon të luajë lojën e njëjtë pasi prerazi nuk po deklarohet nëse do të rikandidon apo jo për të parin e partisë.

Për dallim nga nëntë vite më parë tashmë situata ka ndryshuar dhe është në disfavor të Mustafës, pasi disa nga krerët e lartë të partisë që e ngritën në pozitë, tashmë ngadalë po rreshtohen kundër tij. Pra, Mustafës po i kthehet siç duket bumerang “tradhtia” që ja bëri Sejdiut.

Milihate Tërmokolli e Skender Hyseni janë të parët që kanë krisur marrëdhëniet me Mustafën, pa llogaritur këtu Fatmir Sejdiun që nuk ka thuajse kurrfarë raporte me kreun aktual të LDK-së dhe kritikuesen e mëhershme Vjosa Osmani.

Gjuajtja me deklarata “pro et contra” për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” si dhe dialogu me Serbinë janë dy temat që kanë nisur çarjet në LDK.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri dihet botërisht që është “pro” futjes së partisë në ekipin e dialogut, çka e kundërshton aktualisht Mustafa.

Në anën tjetër, Skender Hyseni ka dalë së fundmi kundër qëndrimit të partisë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, pasi sipas tij do ndikonte negativisht për proceset e vendit, çka ngjalli reagimin e Mustafës, duke thënë se s’pajtohet me këtë qëndrim dhe se Ramushi duhet rrëzuar sa më parë nga pushteti.

Andaj duke parë këto kundërshtime ndaj Mustafës shtrohet pyetja se a po i përgatitet edhe tij një “kurth” nga krerët e lartë që ta largojnë nga partia?

Duke parë kundërshtinë e fundit të Skender Hysenit ndaj Mustafës, ambiciet e Fatmir Sejdiut për t’u rikthyer në krye të partisë, pastaj ambicien e Lutfi Hazirit për t’u bërë kryetar, pa harruar dëshirën e Vjosa Osmanit, është një sinjal se Mustafa nëse synon edhe një mandat do ketë përballë njerëz me ndikim në parti dhe “tradhtia” që ja bëri Sejdiut mund t’i kthehet bumerang.

Kjo sepse vështirë se zyrtarët e lartcekuri, por jo vetëm do lejojnë që Mustafa të marrë frenat e partisë edhe për katër vjet të tjera. Të gjithë këta të fundit mund të bëhen bashkë përkundër dallimeve që kanë dhe të nxjerrin një kundërkandidat, vetëm e vetëm që ta rrëzojnë Mustafën.  Për të kuptuar e çfarë e pret këtë parti sigurisht se duhet pritur deklarimet edhe të zyrtarëve tjerë të partisë, por para se gjithash duhet pritur Kuvendin ku do zgjedhën organet e reja drejtuese.

Se ka njerëz brenda LDK-së që duan ta largojnë Mustafën nga kreu i partisë e ka thënë muajin e kaluar edhe ish-deputetja Melihate Tërmkolli.

“Ka shumë njerëz që dëshirojnë ta largojnë Isa Mustafën nga aty, por thjesht nuk duan të flasin”, ka pohuar ajo në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini më 21 dhjetor të 2018-të 2018-tës.

Sipas saj timonin e partisë duhet ta marrin njerëz që kanë dhënë kontribut që nga themelimi i partisë, ku ka përmendur Fatmir Sejdiun.

“LDK-ja ka brenda vetes personalitete të jashtëzakonshme që e njohin frymën e LDK-së identitare. Ka mundësi të bëhet një zgjidhje qoftë ajo edhe konsensuale. Le të fillohet nga Fatmir Sejdiu e të gjithë të tjerët që janë pjesë e LDK-së identitare”, ka pohuar ajo.

Nuk duhet harruar se ambicie për kreun e LDK-së kohë më parë ka paraqitur edhe Gazmend Muhaxheri që mban pozitën e kryetarit të Pejës, ndërkaq nuk duhet harruar as Agim Veliun që mbetet një kandidat i mundshëm.

Nga Blendi Gashi