Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj ka folur për reagimet e partive politike pas ftesës që iu bë nga Specialja dhe dorëheqjes së tij të premten në mbledhjen e qeverisë.

Haradinaj tha se secili e sheh nga pikëpamja e vetë aktin e tij, duke vlerësuar se disa nuk kanë mund të përmbahen.

“Po, t’ju them të drejtën, secili nga pikëpamja e vetë janë shprehur. Disa kanë qenë korrekt, disa nuk kanë mund të përmbahen, nuk i kanë kuptuar edhe krejt kontekstet e kësaj dorëheqjeje”, tha Haradinaj në një intervistë për Evropën e Lirë.

Kryeministri në dorëheqje tha se nuk dëshiron të hapë debate të tilla.

“Nuk e kam luksin që të hapi këso debatesh, do të thotë secili e ka për vete. Populli e thotë gjithkush mënyrën e vet dhe arsyet e veta, por është shumë me rëndësi ta ruajmë vendin, interesin e vendit, interesin nacional sepse llogaritë ndërmjet veti do t’i lajmë gjithë jetën. Demokracia vazhdon, edhe pas këtyre zgjedhjeve do të ketë prapë zgjedhje. Do të vërtetohet se kush e ka interesin e vendit e të popullit përpara e kush e ka të vetin, e të partisë. Mendoj që mbrojtja e Kosovës nga ndarja, mbrojtja e Kosovës nga një “Dodik Republikë” edhe mospranimi i një çmimi për njohje, i një marrëveshje që na lë neve jofunksional është interes i të gjithë neve, edhe i LDK-së, i Vetëvendosjes, i PSD-së e edhe i neve që jemi në pushtet. Ajo që unë po bëj është që konkretisht po ndërtoj një kauzë, po ua jap një kauzë të gjithëve përmes së cilës të gjithë jemi pastaj të qëndrueshëm, si popull e si shtet”, tha Haradinaj.