Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas arrestimit të 4 serbëve në Veri të Mitrovicës, 3 prej tyre të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit
 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas arrestimit të 4 serbëve në Veri të Mitrovicës, 3 prej tyre të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Për aksionin e sotëm të Policisë, Haradinaj ka thënë se është në pajtim të plotë me ligjin dhe konform urdhërit të Prokurorisë Speciale, duke thënë se ky aksion nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik.

“Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhërit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik” ka shkruar Haradinaj.

Më tej, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave.

“Thërras qytetarët, subjektet politike, kryetarët e komunave posaçërisht ata në veri dhe organet e tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.

Është më rëndësi që askush të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme”, ka shkruar ai.

Ky është postimi i plotë i Haradinajt:

Sot, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në veri të Kosovës është zhvilluar një operacion policor, që ndërlidhet me ndalimin e disa të dyshuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhërit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik.

Thërras qytetarët, subjektet politike, kryetarët e komunave posaçërisht ata në veri dhe organet e tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.

Është më rëndësi që askush të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme.

Ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit është në interes të të gjithëve në Kosovë.