Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, është deklaruar rreth takimit të sotëm me kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Mustafa thotë se me Kurtin kanë diskutuar për domosdoshmërinë për shkuarjen sa më parë në zgjedhje.

Gjithashtu  Mustafa pohoi se me të parin e VV-së janë pajtuar që vendit i duhet një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve.

“Në takim me z. Albin Kurti sot, biseduam për gjendjen në Kosovë, sidomos pas dorëheqjes së Kryeministrit të vendit. U pajtuam se jo vetëm që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje por duhet të rezultojë një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë sonë.Kjo qeveri e re e Kosovës duhet të sillet me përgjegjësi dhe kompetencë në zhvillimin ekonomik, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, në menaxhimin e arsimit dhe shëndetësisë, në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit si dhe në hapjen e rrugës së integrimeve evropiane. IM”, ka shkruar Isa Mustafa në rrjetin social Facebook.