Nën moton “Pro mësimit, jo përdhunimit”, është mbajtur një protestë në Drenas, gjatë së cilës qindra qytetarë kanë kërkuar drejtësi për vajzën e mitur, e cila dyshohet se u përdhunua nga profesori i saj, e më pas edhe nga polici tek i cili e raportoi rastin.

Protesta ka nisur nga gjimnazi “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, e më pas ka vazhduar drejt stacionit policor në Drenas, gjatë së cilës kanë kërkuar që të dyshuarit e përfshirë në rastin e 16 vjeçares, të marrin dënimin maksimal.

Gjatë protestës disa protestues kanë gjuajtur në drejtim të policisë me vezë, shishe dhe gurë, ku si pasojë është lënduar një aktiviste e cila ka marrë tretman mjekësor dhe është në gjendje  të mirë shëndetësore.

“Mos gjuani, ne nuk jemi dhunues, jemi protestues. Policia e ka organizuar bashkë me ne protestën, andaj mos gjuani”, ka thënë njëri nga organizatorët.

Aktivistja Altinë Nika ka lexuar një letër në solidarizim me viktimën, gjatë së cilës ka thënë se shkolla e mitura ka ndjekur mësimet është bërë ankth për shumë vajza.

Kurse aktivistja Adelina Tërshani, përmes poezisë “Çika e Kosovës”, ka thënë se shteti i Kosovës po i shpërblen ata që po dhunojnë vajzat e gratë.

Protestës i janë bashkangjitur edhe mësimdhënës të shkollës, deputetë, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, po ashtu edhe këngëtarja Dafina Zeqiri, ndërkaq gjatë marshimit drejt stacionit policor, numri i protestuesve është rritur.

Pranë stacionit policor të Drenasit, ka folur edhe aktivisti Afrim Berisha, i cili ka thënë se ftuar policët që të distancohen nga kolegu i tyre dhe që të hetojnë raste të ngjashme brenda stacionit policor.

Gjatë fjalimit të tij, protestuesit kanë kërkuar edhe dorëheqjen e komandantit policor të Drenasit.

Gjatë protestës një polic në Drenas është përlotur, teksa protestuesit kërkonin nga policët që të bënin dy hapa mbrapa për t’u distancuar nga kolegu i tyre, Vesel Veseli.

Pas protestës, aktivistët kanë zhvilluar edhe një aksion simbolik, gjatë së cilit kanë shpalosur një pankartë në formë të mirënjohjes, në të cilën shkruhej: Vesel Veseli, përdhunuesi.

Lidhur me këtë rast, dje është mbajtur një protestë para Policisë së Kosovës në Prishtinë, në të cilën krahas qytetarëve kanë marrë pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Anëtarët e YIHR-së, njëherësh organizatorë të protestës, kanë thënë se nuk do të ndalen pa u arritur drejtësi për rastin në fjalë.