Mosakreditimi i universiteteve publike dhe kolegjeve private në Kosovë nga Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ka ngritur reagime të mëdha, shkruan Insajderi.

Kolegji ILIRIA që nuk ka marrë akreditimin, ka deklaruar se procesi ka pasur shkelje të shumta ligjore për të cilat janë bërë ankesa të vazhdueshme në Agjencinë e Kosovës për Akreditim – AKA.

Arbër Reçi, sekretar i kolegjit në fjalë ka akuzuar eksperten rumune Anca Prisacariu, për mungesë të kapaciteteve për të qenë eksperte.

“Kolegji ILIRIA, duke iu nënshtuar akreditimit për më shumë se 10 vite, si dhe duke u vlerësuar nga më shumë se 30 ekspertë nga universitetet më të njohura europiane, kemi verejtur qartë se Anca Prisacariu nuk ka kapacitetet e duhura dhe nuk plotëson kriteret per te qenë eksperte”, ka thënë Reçi për Insajderin.

Reçi ka deklaruar se gjatë vizitës së saj, duke parë sjelljen dhe joprofesionalizmen e saj, kolegjia ILIRIA ka inicuar ankesë në AKA dhe njëkohësisht ka kërkuar CV-në e saj kur ka aplikuar si eksperte.

“AKA në asnjë rast nuk ka dorezuar CV-në e saj, duke fshehur shkeljet që ka bërë, dhe duke angazhuar jashtligjshëm një person që nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë eksperte. “Përkunder kësaj, Kolegji ILIRIA është munduar të hetojë përmes rrjeteve sociale (profili i saj ne LinkedIn) dhe burimeve tjera, ku vërehet se e njejta nuk ka përvojë pune si mësimdhënëse në universitet, ka shtuar sekretari i kolegjit.

Ai ka potencuar për Insajderin se kolegjia ILIRIA konsideron se angazhimi i saj në këtë proces është i dyshimtë dhe se ekspertja Anca Prisacariu, nuk ka dhënë vlerësim për asnjë institucion të cilin e ka vlerësuar.

“Nga një numër i madh i ekspertëve që AKA ka pasur në dispozicion, eshte përzgjedhur pikërisht Anca Prisacariu për të vlerësuar institucionin tonë, si dhe numrin më të madh të  universiteteve publike dhe kolegjeve tjera private, të cilave u është tërhekur akreditimi”, ka thënë Arbër Reçi për Insajderin.

Si përfundim, kolegji ILIRIA shprehë keqardhje për këtë vendim të cilësuar si të papërgjegjshëm të AKA dhe KShC-së që pa arsye, kanë shqetësuar studentët, profesorët dhe opinionin publik.