Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, pas dorëheqjes ka folur për hapat të cilat duhet t`I ndjek shteti për të mos u krijuar vakum insitucional.

Ai në një intervistë pë Radio Evropa e Lirë, tha se nuk duhet të lejohet çfarëdo parregullsie, qoftë të qeverisjes, qoftë ligjore, ose jostabilitet.

“Për fat të mirë, gjendja është stabile në Kosovë, pra është funksionale dhe jeta vazhdon. Jemi në demokraci. Kushtetua jonë ka paraparë veprimet e nevojshme në këto raste. Unë tash po i finalizoj letrat formale për presidentin dhe për kryeparlamentarin. Pastaj, Parlamenti mund të vetëshpërbëhet në një datë të caktuar ose presidenti mund të propozojë shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje. Arsyeja përse unë kam kërkuar të shkohet në zgjedhje është se besimin e kam kërkuar nga populli kur e kam marrë mandatin për kryetar të Qeverisë. Kam menduar se mandati më i sigurt në këto raste është nëse ia kthen sovranit, popullit. Mendoj qe zgjidhje e drejtë është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë rast, në bazë të afateve kohore kushtetuese e ligjore. I ftoj qytetarët e vendit që të marrin pjesë në proces zgjedhor dhe ta respektojnë atë vendim që e jep sovrani”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, nuk ka arsye të vonohet shumë caktimi i datës së zgjedhjeve.

“Është me rëndësi, jo sepse ka vakuum qeverisës, por që t’i jepet sovranit mundësia për të vendosur sa më shpejt. Nuk bën që t’i vonohet popullit e drejta për të vendosur për më tutje. Do të ishte me rëndësi që në afatet kohore – diku rreth dy muaj – të ndodhin zgjedhjet. Kështu janë ato dinamikat prej këtu e tutje. Shpresoj të rrjedhin kështu. Kohë merr edhe konstituimi i Parlamentit pastaj, edhe formimi i qeverisë së ardhshme. Është me rëndësi që të gjitha këto të ndodhin në afate të duhura kohore”, tha ai.

Haradinaj, tha se është duke përgatitur dokumentet për të njoftuar presidentin, kryetarin e Kuvendit edhe partnered e tjerë të koalicionit të deritashëm.

“Jemi në hartim të letrave. Me protokoll, letrat zyrtare mund të shkojnë sot, mund të shkojnë nesër në mëngjes. Jemi në hartim të tyre. Jemi duke shqyrtuar bazën kushtetuese për këtë dorëheqje, sepse është dorëheqje pa mocion, është dorëheqje e qeverisë. Jemi duke shqyrtuar që ta shpjegojmë”, tha Haradinaj.