Ndërmarrja për prodhimin dhe përpunimin e llamarinës “Llamoks” në Vushtrri u shit për 6 milionë euro të hënën përmes një ankandi publik.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë kryetari i sindikatës së punëtorëve Ragip Hasani.

Hasani tha se blerësi është një kompani vendore dhe se ende nuk është e qartë nëse do të ndërrohet destinimi i ndërmarrjes.

Shitja e “Llamkos”-it përmes procesit të falimentimit dhe pa kushte është bërë pasi kjo ndërmarrje dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe në të dyja rastet blerësit kanë dështuar t'i përmbushin obligimet.

Pas obligimeve që blerësi i fundit ka pasur ndaj kreditorëve të ndryshëm dhe punëtorëve, në muajin shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës - Departamenti për Çështje Ekonomike ka marrë vendim që ta nxjerrë në shitje pa kushte, përmes ankandit publik.

Fabrika Llamkos ka pasur rreth 500 punëtorë, të cilët kanë mbetur pa punë tash e katër vjet.

Ata pretendojnë se menaxhmenti i kompanisë u ka mbetur borxh 10 paga ose në total 750 mijë euro.