Akademiku, Mehmet Kraja është duke e akuzuar profesorin, Milazim Krasniqi lidhur me “Fjalorin enciklopedik të Kosovës”. Kraja ka thënë se Krasniqi ka nënshkruar një kontratë me Akademinë ku ka marr një pagesë në vlerë prej 900 euro, ku sipas Krajës pas kësaj shume të marr nga akademia Krasniqi ka dhënë dorëheqje.

Kraja është shprehur se dorëheqja e Krasniqit nuk mund të konsiderohet pas marrjes së mjeteve.

“Milazim Krasniqi është zgjedhur nga Redaksia qendrore anëtar i redaksisë së informimit me propozimin e redaktorit të fushës, Ibrahim Berishës, dhe, duke qenë anëtar i kësaj redaksie, ka nënshkruar një kontratë me Akademinë dhe ka marrë pagesën në vlerë 900 euro. (Tërheqja pasi t’i marrësh paratë, nuk mund të konsiderohet e vlefshme)”, ka shkruar Kraja.

Mirëpo disa muaj më parë, Kraja kishte fjalë tjera. Ai në një intervistë kishte thënë se nuk ka lidhje me çështjet financiare.

“As redaksia qendrore dhe as kryeredaktori nuk kanë pasur të drejtë e as kompetenca ekzekutive në pikëpamje financiare, të gjitha kompetencat i ka pasur kryesia e akademisë sepse ashtu është rregulli, ashtu janë rregulloret edhe statuti që për çështje financiare në akademi përgjigjet kryesia, pra me këtë mund të ju them se nuk kam asnjë lidhje me këtë punë”, kishte thënë Kraja.

Ndërsa në një reagim të sotëm Kraja thotë se “Milazim Krasniqi si anëtar i redaksisë ka qenë i obliguar që të gjitha detyrat e punës t’i koordinojë me redaktorin e fushës përkatëse, Ibrahim Berishën (nuk ka qenë e domosdoshme të jetë autor zërash, nëse këtë detyrë nuk ia ka caktuar redaktori i fushës)”.