Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka mbajtur një konferencë urgjente pas vendimit të mos akreditimit të disa universiteteve publike dhe kolegjeve private në Kosovë.

“Akoma nuk kemi informacione zyrtare megjithatë e pamë të arsyeshme të njoftojmë opinionin: ajo që duhet të qartësohet, këto nuk janë vendime të MAShT-it, sepse Agjencia e Akreditimit gjegjësisht KShC merret me vendime sipas ligjit dhe procedurave që janë në fuqi”, tha ai.

Sipas tij është problematike sesi KShC ka marrë këtë vendim pasi që sipas tij ata së pari duhet të sqarohen tek Agjencia Kundër Korrupsionit për përbërjen e anëtarëve të vetë Agjencisë, shkruan Reporteri.net.

Bytyqi kërkoi që Qeveria të marrë hapa për këtë vendim të sotëm të KShC-së.

“Vendimi që ka dalë sot bie në kundërshtim të plotë vetë Këshilli Shtetëror i Cilësisë nga vendimi që e ka marrë të premten. Ne u njoftuam që tash nga ky vendim janë prekur tri universitete publike që do të thotë nuk kanë akreditim institucional për një vit pasi që kemi një lloje kundërshtimi të dy vendimeve nga vetë këshilli, presim që kjo çështje të adresohet në Qeveri dhe të shohim hapat e mëtutjeshëm”, tha ai.