Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka dhënë detajet rreth incidentit të mbrëmshëm ku u shemb një pllakë gjatë një ndërtimi.

Tahiri në një postim në “Facebook” ka deklaruar se punimet nuk mund të vazhdojnë pa u pastruar vendpunishtja.

Ai e konfirmoi që ndërtesa gjendet në territorin e kryeqytetit.

“Mbrëmë, në rrugën “Elez Berisha” në Zonë Industriale, është shembur një pjesë e pllakës së një objekti në ndërtim e sipër, me leje ndërtimore”, ka shkruar Tahiri.

Nga pala ndërtimore është kërkuar po ashtu që të sjell një raport që tregon stabilitetin e ndërtesës.

“Inspektori i zonës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe e ka konstatuar se në proces të betonimit, është shembur një pjesë e pllakës së katit të parë. Me procesverbal, pala është obliguar që menjëherë ta sigurojë vendpunishten dhe hapësirën përreth duke i larguar pjesët e dëmtuara. Gjithashtu, pala nuk mund të vazhdojë me punët sipas lejes ndërtimore, pa e sjellë në Drejtorinë e Inspekcionit raportin e stabilitetit të ndërtesës”, ka shkruar tutje ai.

Ai ka paralajmëruar masa shtesë për rastin, ndërsa ka njoftuar se për të rejat e rastit do t’i njoftoj me kohë qytetarët.

“Procesverbali me konstatimin dhe masat e ndërmarra është përcjellë në Urbanizëm për masa shtesë, si dhe në Policinë e Kosovës tek hetuesit e rastit. Për çdo vendim të ri, do të jeni të informuar!”, përfundon postimi i drejtorit të inspekcionit të Prishtinës/kallxo.com/