Kryeministri Ramush Haradinaj,  duke përkujtuar 24 vjetorin e masakrës së Srebrenicës ka theksuar se kjo ditë kujton epokën më mizore të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

”Kjo masakër, na e kujton një epokë të errët dhe një akt barbar të një regjimi mizor. Masakra në Srebrenicë dhe vrasjet tjera masive në Ballkan nga regjimi i Millosheviqit dhe vartësve të tij, mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Para 24 vjetëve ushtarët serb kryen masakrën e Srebenicës, në të cilën u vranë në mënyrën më çnjerëzore mbi 8000 burra dhe djem myslimanë me urdhrin e udhëheqësit  të asaj kohe, Radovan Karadziç në Bosnjë.

Disa muaj para përfundimit të luftës së Bosnjës, forcat serbe të Bosnjës nën gjeneralin Ratko Mlladiq morën nën kontroll strehimoren e sigurt të Kombeve të Bashkuara në lindje të Srebrenicës, i ndanë burrat dhe djemtë prej grave, dhe i çuan ata në fushat e vrasjeve, ku ishin qëlluar prapa kokës me duart e lidhura pas shpinës.

11 korrik përkujtohet çdo vit që nga liderë botërorë e deri të qytetarë të cilët e njohin këtë histori të përmasave të gjenocidit.