Janë bërë shtatë vite kur qytetarët e Kosovës mashtrohen nga politikanët e Kosovës se këtë vit apo tjetrin do hiqen vizat dhe do hapen dyert për të udhëtuar në shtetet e Evropës, por izolimi vazhdon dhe nuk ka ende një datë se kur do të ndodh. Ndërsa kjo gjë mbetet enigmatike dhe politikanët vazhdojnë me premtimet e tyre boshe, në anët tjetër qytetarët po ngarendin pas ofertave të kompanive fatkeqësisht fiktive që po hapen muajt e fundit dhe u premtojnë vende pune në shtete të ndryshme.
 

Një gjë e tillë ndodhi së fundmi në qytetin e Prizrenit, ku një kompani e quajtur “B.S.B Aviation” SH.P.K. e cila, në Kosovë është regjistruar si kompani ndërmjetësuese për punësim në Gjermani, prezantoi 2000 vende pune, kryesisht në fushën e aviacionit në aeroportin e Frankfurtit, çka ku u bë zhurmë e madhe, pasi gjithandej portaleve dhe rrjeteve sociale u postuan fotografi dhe video që shfaqnin mijëra qytetarë që ia mësyen Shtëpisë së Kulturës në Prizren me shpresën se do t’u buzëqeshte fati dhe do të gjenin një vend pune në Gjermani.

Por vetëm një ditë pas rrëmujës së krijuar, plasën lajmet në portale se kompania në fjalë po del të jetë mashtruese dhe se ajo në ARBK (Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve) figuron e regjistruar vetëm një javë me parë dhe në kapital të kompanisë, figurojnë vetëm 1000 euro.

Dhe raportimet e portaleve ngrehin dyshimet me të drejtë se bëhet fjalë për një mashtrim, pasi shkruajnë se kanë provuar të kontaktojnë me pronarin e kësaj kompanie, personin e quajtur Bujar Berisha, por i njëjti nuk ka pasur çasje në telefon. Kjo gjë sigurisht se rrit dyshimet edhe më shumë. Andaj shtrohet pyetja: a thua pse vallë ky person “zhduket” veç një ditë pasi premtoi punësim të 2 mijë kosovarëve në Gjermani? Pse fshihet? (edhe pse sipas raportimeve nuk ka qenë prezent as të mërkurën kur kompania e tij njoftoi qytetarët si duhet aplikuar).

3 arsyet pse shteti duhet të veproj..

Si pasojë e dyshimeve ndaj kësaj kompanie, tashmë kanë nisur hetimet nga organet e rendit. Këtë e ka konfirmuar vet kryeministri Ramush Haradinaj të enjten përmes një deklarate. Ai nuk e ka mohuar se kompania në fjalë është duke u hetuar edhe nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).

Hetimet ndaj kësaj kompanie i ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës që ka deklaruar për mediat se hetimet po bëhen nga Departamenti për Krime Ekonomike.

Se ka vend për shqetësim padyshim se e tregon edhe deklarimi i bërë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) e cila tregon se kjo kompani nuk është e licencuar.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka marrëveshje vetëm me ato agjenci që ofrojnë mundësi punësimi, e që janë të licencuara nga Departamenti i Punës. Biznesi në fjalë nuk është licencuar nga Ministria dhe kemi asnjë lloj marrëveshje me të. Nëse ekziston një agjenci e punësimit që operon pa licencë, atëherë ekzistojnë edhe masat ndëshkuese të përcaktuara nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës”, ka thënë Mimoza Kqiku, këshilltare në MPMS, për mediat.

Andaj duke parë këto shqetësime dhe alarmin e ngritur, nisja e hetimeve është një lajm i mirë, por kjo nuk mjafton. Prokuroria duhet ta thotë sa më parë fjalën e saj të paktën për tre arsyet e më poshtme:

E para, për t’i mbrojtur qytetarët nga një mashtrim eventual ku persona të caktuar do të përfitonin në kurriz të tyre.

E dyta, nëse kjo kompanie eventualisht është nxitur nga palë të jashtme për të bërë një zhurmë për të dëmtuar procesin e liberalizimit të vizave, se kinse ja sa është gatishmëria e kosovarëve të ikin nga shteti nëse u hiqen vizat.

E treta, për të mbrojtur kompanitë që janë të licensuara nga shteti për marrëveshje punësimi në Gjermani.

Sipas hulumtimit të Gazetës LAJM (www.gazetalajm.com), e vetmja Agjenci e licencuar në Ministrinë e Punës është kompania: “PUNSOHU.EU” SH.P.K, me NRF:601693296.

 

Frika për një mashtrim të ri bëhet më e madhe kur kihet parasysh se për mashtrim të rreth 900 personave për viza pune në Gjermani aktualisht po akuzohet deputeti i NISMA për Kosovën, Milaim Zeka, dhe partneri i tij afarist Ilir Krasniqi. Sipas një raportimi të portalit “Insajderi”, dy personat e lartcekur akuzohen se me premtimin për sigurimin e një vendi të punës në Gjermani, aplikantët u detyruan të paguanin shuma që varionin nga 50 euro e deri në 3,500 euro, mirëpo viza e punës nuk kishte ardhur kurrë.