Aktakuza për manipulimet me listat e veteranëve po plotësohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Nga ky institucion zotohen se aktakuzën për një nga skandalet më të mëdha të pasluftës, do ta dërgojnë në Gjykatë brenda afatit të caktuar 30-ditor.

Rasti i veteranëve – brenda ditësh Prokuroria e rikthen aktakuzën në Gjykatë

Më pak se 10 ditë kanë mbetur nga afati që Gjykata Themelore e Prishtinës, ia ka dhënë Prokurorisë Speciale për plotësimin e aktakuzës për veteranët.

Zyrtarë të Prokurorisë Speciale janë të bindur se do ta respektojnë afatin 30 ditor për t’ia rikthyer gjykatës lëndën e plotësuar, ku dyshohet se janë mbi 20 mijë veteranë mashtrues.

Prokurori Sylë Hoxha, tha për Gazetën Insajderi se ky institucion po punon në plotësimin e lëndës.

“Jemi duke punuar dhe jemi të obliguar t’i përmbahemi atij afati. Brenda afatit aktakuza do të shkojë në Gjykatë, nëse del ndonjë problem mund të lypim afat shtesë por jam i bindur që do ta respektojmë për përmbushjen e kërkesave nga Gjykata”, ka thënë Sylë Hoxha.

Mediat sot gjatë ditës kanë raportuar se në Gjykatë do të dorëzohet aktakuza e përpiluar nga ish-prokurori, Elez Blakaj.

Në lidhje me këtë, Hoxha ka thënë për Insajderin se nuk ka shumë informacion. Por është shprehur pesimist që një gjë e tillë mund të ndodhë.

“Nuk mund të them asgjë, pasi unë nuk jam shumë në rrjedha. Unë vetëm dua të ju informoj. Varet qysh e shohin ata por unë nuk besoj, mund të jetë ndonjë manipulim pasi nuk jam në dijeni”, deklaroi Sylë Hoxha.

Me 10 tetor Gjykaka Themelore e Prishtinës i kishte kthyer Prokuororisë këtë akyakuzë. Gjyqtarja e rastit, Nushe Kuka-Mekaj kishte kërkuar që Prokuroria të specifikojë se çfarë vepra penale kanë kryer 12 të dyshuarit.

Gjykata gjithashtu kishte kërkuar sqarime nëse të akuzuarit, kanë kryer veprën penale me “veprim apo mosveprim”.

“Nga përshkrimi faktik i veprës penale rezulton se fjala është për veprime aktive të kryera me dashje, në kontinuitet dhe në bashkëveprim nga të gjithë të pandehurit për një periudhë të gjatë kohore dhe nga rrethanat e përshkuara në aktakuzë rezulton se rritja e numrit të veteranëve është shkaktuar si rezultat i veprimit abuziv e jo si pasojë e mosveprimit për shkak se mosveprimi do të prodhonte ndonjë pasojë tjetër andaj Prokuroria duhet të sqarojë se a është kryer vepra me veprim apo me mosveprim”, thuhet në vendimin e Gjykatës për rastin e veteranëve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 anëtarëve të Komisionit për verifikimin e statustit të veteranëve,  për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në mesin e të akuzuarëve janë kryetari i komisionit Agim Çeku, dhe anëtarët Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbim Demaliaj, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Smajl Elezaj.

Në aktakuzën e Prokurorisë është kërkuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Aktakuza është ngritur nga prokurori Afrim Shefkiu, pasi që Elez Blakaj, ish-prokurori i Speciales i cili e kishte hetuar rastin e mashtrimit me listat e veteranëve, kishte dhënë dorëheqje.

Blakaj pasi kishte dorëzuar aktakuzën në Prokurori ishte larguar nga Kosova duke dhënë dorëheqje me arsyetimin se zyrtarë të lartë të prokurorisë kishin ushtruar presion ndaj tij.

Pas kësaj prokuroria caktoi Afrim Shefkiun prokuror të këtij rasti. Ai e dorëzoi aktakuzën e plotësuar në gjykatë me 14 shtator, bashkë me emrat e rreth 20 mijë personave të dyshuar si veteranë mashtrues.