Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i përgjigjet prapë ftesës së përsëritur të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për koordinim rreth Dialogut me Serbinë.

Deputeti i kësaj partie, Rexhep Selimi për Gazetën Online Insajderi ka thënë shkurt se Vetëvendosje nuk ka asgjë çfarë të diskutojë për çështjen që ka ftuar Veseli.

“Veseli duhet vetëm ta thërrasë seancën e kërkuar nga opozita tash e më shumë se gjashtë muaj. S’kemi çka të negociojmë për një gjë të tillë. Ai duhet ta kuptojë rolin e tij si Kryetar i Kuvendit. Ai nuk është kryetari i partive në Kuvend, por moderuesi i mbledhje të Kryesisë dhe i seancave në Kuvend”, ka deklaruar Selimi për Insajderin.

Më herët edhe deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri është shprehur kundër ftesës së Veselit, duke u shprehur e sigurt se subjekti që ajo përfaqëson nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.

“Me qenë e sinqertë nuk e kam këtë informatë. Sigurisht që strukturat e LDK-së do të vendosin, por unë jam shumë e siguritë që ftesës së Veselit nuk do t’i përgjigjet LDK-ja për arsyeje se vërtetë ftesat e tyre e sidomos ato publike janë shumë patetike dhe shpesh herë edhe të ulëta, kështu që unë mendoj që LDK ja deri tani e ka dhënë mendimin e saj që ftesave të Veselit nuk kemi çka ju përgjigjemi”, ka deklaruar Gaxherri për Insajderin.

Veseli gjatë ditës së sotme u ka bërë ftesë Ekipit Negociator, krerëve institucional dhe partive opozitare në vend.

Ky takim i kryeparlamentarit Veseli ishte paralajmëruar nga takimi i parë koordinues që e ka ftuar me ekipin negociator në fund të muajit dhjetor. Takimi pritet të mbahet të hënën më 14 janar në ora 11:00 në sallën C 301 në Kuvendin e Kosovës.