Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ka thënë se opozita duhet bërë bashkë, nëse ka për synim serioz rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Ai ka thënë se ky synim nuk mund të arrihet, nëse bëhet garë se kush është më patriot dhe kush tradhtar.

Sejdiu ka thënë në Klan Kosova se mundësi bashkëpunimi për këtë shohin edhe me ish subjektit që i takonin dikur.

“Ne nuk kemi mosbesim karshi Lëvizjes Vetëvendosje. Për ne politika është çështje bindjesh, argumentesh dhe ideologjish dhe jo konstrukti personal me etiketa të llojllojshme për përfitime elektorale. Është bërë lehtë dikujt t’i thuash tradhtar dhe argat i atij-këtij”, ka thënë Sejdiu.

“Në politikë në jemi që të krijojmë mundësi që vendi të ecë përpara, njerëzit të jetojnë më mirë dhe që kolektivisht të jemi sa më të barabartë. Asnjë minutë nuk e kalojmë në këtë vorbull për jetë më të mirë, kështu nuk po e përmbushim mandatin”.

Sejdiu ka thënë se nëse ekziston mendësia në politikën kosovare që të mbahet peng shteti, atëherë PSD nuk do të jetë pjesë e kësaj loje.

“Loja është kush po duket më patriot më nacionalist dhe kush janë tradhtarët. Serbinë s’mund ta heq qafe një parti, as një njeri dhe as një konstrukt i dy subjekteve opozitare me dy subjekte në pushtet me diskursin se kush është tradhtari dhe kush patrioti. 20 vjet kanë kaluar ne ende e konsiderojmë Serbinë aset për politikë të brendshme. Për ta tejkaluar këtë ngërç dy dekadash duhet të gjendet rruga për ta hequr atë qafe. Opozita ka rol të rëndësishëm dhe domethënës. Nëse dakordohemi mirë, nëse jo atëherë dikujt po ia hapim derën goxha gjerë”.