Ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, u rikthye me leje të Bashkësisë Islame të Kosovës si ligjërues.

Ai në një intervistë për lajmi.net, për herë të parë ka folur për rizgjedhjen për herë të katërt tashmë të myftiut, Naim Tërrnava.

Krasniqi thotë se ai personalisht nuk ka qenë i kyçur në këtë proces zgjedhor, teksa pranon se dikujt edhe mund t’iu ketë dukur se ka pasur parregullësi.

Megjithatë, sipas Krasniqit nuk ka rëndësi se kush vije në pozita të tilla, pasi që siç shprehet ai, është e rëndësishme që ai person të jetë i denjë dhe të punoj për atë pozitë.

“Ne ia kemi uru sepse na ka hije me ia uru, dhe ia urojmë prap. Sa i përket procesit si proces zgjedhor, ndoshta dikujt i duket si jo në rregull, e vërteta është se unë nuk kam qenë i kyçur në asnjë proces zgjedhor, qoftë në nivelin lokal, qoftë në nivelin qendor. Unë jam i përkushtuar me shërby në sfera të xhematit dhe shkencave në fakultet”, ka thënë ai.

“Ndërkaq që në çështjet zyrtare dhe për pozita udhëheqëse, prej natyrës time nuk e kam hiq merak. Për mu është me rëndësi që ai që vjen në këtë pozitë të punojë, me ia pa hajërin feja, shoqëria e shteti”, ka shtuar ai.