Moderatori Mentor Shuki, e ka pranuar fajësinë për posedim të paautorizuar të narkotikëve, në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Bashkë me të për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, po akuzohet edhe Nebojsha Deniç, i cili kishte arritur marrëveshje me prokurorinë për pranim të fajësisë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Armend Hamiti, dy të akuzuarit kanë pranuar fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohen, raporton “Betimi për Drejtësi.

Me pranimin e fajësisë nga ana e dy të akuzuarve është pajtuar edhe prokurori Hamiti, i cili ka kërkuar nga gjykata që të aprovohet marrëveshja për pranimin e fajësisë e lidhur mes tij dhe të akuzuari Deniç, ndërsa për të akuzuarin Shuki tha se ai që nga faza e hetimeve kishte pranuar fajësinë dhe se ishte penduar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shuki, avokati Asdren Bytyqi ka kërkuar nga gjykata që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e klientit të tij, pasi siç tha ai, ky pranim ishte bërë sipas dispozitave ligjore dhe se i akuzuari ishte konsultuar mjaftueshëm me të.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuari Deniç, avokati Dejan Vasiq, ka kërkuar nga gjykata aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe ka kërkuar edhe ndërprerjen e masës së paraburgimit, të cilën kërkesë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Hamiti.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për të akuzuarin Deniç, si dhe pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Shuki.

Po ashtu, gjykatësi Foniqi njoftoi së për të akuzuarin Deniç do të ndërpritet paraburgimi, ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 10 shtator 2019, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 27 gusht 2019, thuhet se policia gjatë kontrollimit të të akuzuarit Mentor Shuki, më 21 mars 2019, kishin gjetur se pa autorizim kishte poseduar një qese të vogël, e mbushur me substancë narkotike e dyshua si amfetamine, në peshë 4 gramë, dy boca të xhamit të mbushura me tretësirë të lëndët e dyshuar si substancë narkotike GHB, ku njëra prej tyre kishte pasur peshën 84 gramë.

Ndërkaq, i akuzuari Nebojsha Deniç, akuzohet se kishte shitur substancë narkotike dhe gjatë kontrollimit të policisë ishin gjetur dhe konfiskuar 149 gramë substancë narkotike, e llojit amfetamine, 204 gramë marihuanë, 17 gramë fara kanabisi dhe një peshore digjitale.

Prokuroria të akuzuarin Shuki e ngarkon me veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa të akuzuarin Deniç me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.