Në të gjitha shkollat e Kosovës sot fillon viti i ri shkollor 2019-2020.

Sot nis viti i ri shkollor

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.

Me këtë rast, nga ora 10:00, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, merr pjesë në inaugurimin e shkollës fillore në fshatin Tërnj të Suharekës.

Po në këtë qytet, duke nisur nga ora 10:00, ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë shkollën fillore “Vaso Pashë Shkodrani” në Leshan.

Kurse, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti do të vizitojë shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë. Në Prishtinë, Policia së bashku me komunën nisin një plan operativ me qëndrimin e zyrtarëve policor afër shkollave.

E në Kamenicë, mësimi nuk do të fillojë në gjashtë shkollë, kjo pasi kryetari i komunës Qëndron Kastrati ka marrë vendim në kuadër të riorganizimit të institucioneve arsimor. Arsyetimi i tij ishte që ato shkolla duhet të mbyllen për shkak të mungesës së kushteve higjenike, ndërsa, me një vendim ka rekomanduar që nxënësit, mësimdhënësit dhe të sistemohen në shkollat tjera të kësaj komune.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës ka bërë të ditur se viti i ri shkollor do të fillojë me greva në Kamenicë pas vendimit të kryetarit të kësaj komune, Qëndron Kastrati për mbyllje këtyre shkollave.

Duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë në trafik, aksidentet e kësaj vere, por edhe fillimin e vitit shkollor ku trafiku bëhet më i dendur dhe rrjedhimisht edhe më i pasigurtë për fëmijët, Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike Tempulli, Forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit AMRKS, i bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrëseve në trafik për shtimin e kujdesit gjatë lëvizjes në rrugë.

“Kjo thirrje për rritjen e sigurisë në rrugë iu drejtohet të gjithë ngasësve të mjeteve motorike që të janë vigjilentë dhe të veprojnë duke respektuar në plotni rregullat dhe shenjat e trafikut. Në mjedise shkollash, të shtohet kujdesi në mënyrë që të rritet siguria për fëmijët gjatë rrugës nga shtëpia në shkollë dhe anasjellas. Nga fëmijët kërkohet kujdes dhe vëmendje e shtuar gjatë kalimit të rrugës dhe lëvizjes së tyre në grupe”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike Tempulli, Forumit të Kosovës për Siguri në Rrugë dhe Asociacionit Kosovar i Motorizimit AMRKS.