Në Postën e Kosovës do të ofrohet një shërbim i ri që iu mundëson qytetarëve të kontaktojnë mjekë përmes telefonit dhe të pyesin gjithçka që kanë nevojë rreth shëndetit të tyre apo familjarëve të tyre.
 

Sipas marrëveshjes me kompaninë TeleDoc Albania Dega në Kosovë, të gjithë qytetarët e interesuar mund të blejnë kartela mjekësore në zyrat postare, me një pagesë të volitshme.

“Marrëveshja për ofrimin e këtij shërbimi është nënshkruar në mes të kryeshefit të Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha dhe Christian Brandstetter, drejtor i TeleDoc Albania Dega në Kosovë, një Degë e Shoqërisë së Huaj Tregtare”, njofton Posta e Kosovës përmes një komunikate për media.

TeleDoctori do të jetë në dispozicion për çdo ditë gjatë tërë vitit, 24 orë në ditë, me staf profesional për t’u përgjigjur në të gjitha pyetjet që mund të kenë qytetarët. Telefonatat dhe video-telefonatat janë pa pagesë dhe ofrohen përmes një aplikacioni të thjeshtë.

TeleDoc është kompani globale dhe lider në Evropë. Veprimtaria e saj është duke u zgjeruar me shpejtësi edhe në vendet e Ballkanit.