Vuçiq ka deklaruar se ka informata për lëvizjen e “forcave shqiptare” nga dy baza kah veriu i Kosovës
 

Vuçiq ka deklaruar se ka informata për lëvizjen e “forcave shqiptare” nga dy baza kah veriu i Kosovës

“Dy mundësi janë të mundshme… E kanë marrë barkën nga Ujmani me të cilën ka lundruar Thaçi, dhe është e mundur të fillojnë kontrollin e liqenit për t’i treguar muskujt, apo ta kontrollojnë “kalimin e gjelbër” në veri, në mënyrë të pengojnë rrjedhën e mallit në mjediset serbe në Kosovë”, i ka thënë Vuçiq përfaqësuesve të Listë Serbe.

Ai ka thënë se do të vazhdojë ta përcjellë situatën dhe se serbët duhet ta dinë se “nuk do të lihen në mëshirën apo pamëshirën e tyre”.

“Në Kosovë po digjet malli nga Serbia, sikur nazistët kur i kanë djegur librat, ka thënë Vuçiq dhe ka vlerësuar se në Kosovë “është duke vepruar lloji më i keq i nazizmit”.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian ka reaguar në mënyrë racionale në vendimin për rritje të taksave në mallin e Serbisë.

“Duam të besojmë se do ta mbushin mend Prishtinën, mirëpo, të jem i sinqertë, nuk jam i sigurt në këtë. Të them të drejtën, nuk mendoj se do të ndodhë kjo”, ka thënë Vuçiq.

“Haradinaj ka thënë se nuk do t’i heqë taksat derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por kjo tregon se pas kësaj deklarate qëndrojnë disa fuqi të mëdha të cilat po bëhen sikur nuk dinë asgjë. Ai këtë nuk e ka menduar vet. Kjo nuk ka dalë prej kokës së tij. Ai vetëm e ka lexuar ndonjë letër. Mirë… Atëherë duhet të jemi të gatshëm për një luftë të gjatë dhe të vështirë pasi pavarësinë e tyre nuk do ta njohim”, ka thënë Vuçiq.