Ish ylli i serisë televizive “Baywatch”, Pamela Anderson ka thënë se do të arrinte marrëveshje më të mirë për Brexit se sa “budallaqja”, kryeministrja britanike Teresa May.

Ajo tha se Bashkimi Evropian duhet të jetë “tërësisht dhe krejtësisht i reformuar” dhe se e “mbështetet me të vërtetë Mbretërinë e Bashkuar që po përpiqet të krijojë një alternativë të re për Evropën”, shkruan Telegrafi.

Megjithatë, sipas saj, përdorimi i aspiratave nacionaliste nuk është një alternativë dhe mënyra e vetme për liri është një “luftë e përbashkët pa privilegje, duke përfshirë edhe punëtorët e huaj”.

“Marrëveshja e propozuar nga Theresa May nuk ofron një alternativë të tillë”, tha ajo.

“Unë bëj shaka duke thënë se do të arrija që të negocioj një marrëveshje më të mirë se kjo budallaqe. Kam negociuar me Hollywoodin për dekada të tëra”, ka thënë Pamela Anderson.

Para zgjedhjeve presidenciale në Francë, ajo ka mbështetur kandidatin e krahut të majtë Jean-Luc Melanson gjersa Theresa Mayn e ka cilësuar si “kryeministren më të keqe në histori”.

Ndryshe, Anderson tash e sa kohë është në një romancë me futbollistin e Marseille, Adil Rami.