Sopranoja e njohur kosovare Besa Llugiqi në fillim të muajit që vjen do të këtë debutim të dyfishtë: për herë të parë do të ngjitet në skenën polake e po për herë të parë do të interpretojë në operën “Thaïs” të kompozitorit francez Jules Massenet. Asaj i është besuar roli kryesor, Thaïs, që ia ka dhënë dhe emrin veprës.

Tash dhjetë ditë Llugiqi ka nisur provat në shtëpinë operistike “Baltic” në Gdánsk të Polonisë. “Baltic Opera” e filloi punën si studio e muzikës dhe e dramës në shkurt të vitit 1949, në qytetin në breg të Baltikut që sot ka afro gjysmë milioni banorë.

Shumë opera të njohura botërore, si “Cherevichki”, “Peter Grimes”, “Miraculous Mandarin” e “Rita” janë inskenuar aty dhe ka vite që merren me projekte kulturore ndërkombëtare.

Thaïs është roli për të cilin sopranoja kosovare do të përgatitet deri në ditën e parë të marsit, kur do të jepet premiera. Fill pas saj në program janë edhe dy repriza, e në program kjo operë do të jetë deri në qershor. Llugiqi “është” një kurtizane e cila cilësohet si mëkatare.

“Thaïs” bazohet në librin e novelistit dhe poetit francez Anatole France, fitues i “Nobelit” më 1921. Është operë në tri akte. Për herë të parë qe inskenuar në shtëpinë e operës “Garnier” në Paris më 1894 dhe rolin kryesor e kishte sopranoja amerikane Sibyl Sanderson. Ngjarja e operës zhvillohet në Aleksandri, dhe në thelb ndjek historinë e murgut Anathel që kërkon të shpengojë kurtizanen Thaïs nga mënyra e saj mëkatare e jetesës. Ai tenton ta fitojë shpirtin e saj për hir të perëndisë, duke rënë në dashuri me të. Në fund ajo vdes.

Përgatitjen e rolit Llugiqi e ka cilësuar si punë sfiduese, për faktin se përgjegjësia mbetet te roli kryesor të cilin e bart ajo.