Data e sotme shënon një ditë të rëndësishme për ne, për herë të parë do të kemi rastin të shohim shfaqjen e operës së parë bashkëkohore bazuar në veprën e shkrimtarit Anton Pashku, e punuar prej kompozitorit Liburn Jupolli.

Opera sjell për herë të parë pas shumë kohësh veprën e shkrimtarit Anton Pashku, i cili solli në letërsinë shqiptare një frymë krejtësisht të re të të shkruarit, në traditën e prozës. Është fjala për dramën e tij “Gof” një vepër e teatrit absurd, që përcjell tre përsonazhe Lulashin, Lulanin dhe Luluan, të cilët në një rrafsh tjetër mund të interpretohen edhe si gjendje të ndryshme të vetëdijës njerëzore.

Kompozitori Liburn Jupolli na sjell këtë vepër në formën e një opere, me ngjarje të adaptuar për realitetin bashkëkohor kosovar, pasqyrohet vetëdija njerëzore në rrethana të izolimit, ku shpërfaqen tri forma të konceptit të lirisë. Njëri prej personazheve e gjen lirinë në “sëmundje”, i dyti duke i dalë në ndihmë vendit duke qëndruar brenda, kurse i treti e kërkon atë përmes ikjes nga vendi.

Muzika dhe libreti është punuar prej Liburn Jupollit, bota filmike prej Lum  Çitakut, ndërsa personazhet luhen prej tenorit Luan Durmishit (Lulani), baritoni Armando Likaj (Lulua) dhe Lulashi këngëtar virtual në botën e filmit. Liburn Jupolli (synthesizer, efekte, elektronikë, okto) dhe Erëmira Çitaku (flaut, okarinë) do të jenë pjesë e ansamblit.

Opera do të ketë premierën sonte në ora 20, në kinemanë Armata dhe hyrja do të jetë falas.