Shkruar nga: Pranvera Nevzadi

E dua, por a kam nevojë për të?

Minimalizmi, një  çasje sociale dhe ekonomike.

Minimalizmi ka filluar si një lëvizje artistike në artin pamor Western, më fort në atë amerikan, pas Luftës së Dytë Botërore, që nga viti 1960. 

Më vonë, minimalizmi si formë jetese ka gjetur zbatim edhe në fushat tjera të jetës, si sociale e ekonomike. Në jetën minimaliste, sasia nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është cilësia dhe nevoja.

 A mund të jetosh me më pak gjëra se sa ke momentalisht?

Mijëra artikuj në internet dhe përvoja të njerëzve të ndryshëm tregojnë se sa shumë ka ndikuar në kursimin e parave dhe në qetësinë psikologjike stili minimalist. Padyshim, edhe ky ka dobësitë e veta si çdo sistem tjetër, si dhe, largimi i gjërave nga jeta jote e përditshme nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet, por do të të japë hapsirë të mjaftueshme dhe një ambient të organizuar mirë, që do të ndikojë në qetësinë tënde psikologjike, sepse, një ambient me rrëmujë, shkakton rrëmujë në mendje. Gjithashtu, stili minimalist i jetesës do të mundësojë kursimin e parave duke mos harxhuar për gjëra të panevojshme. 

Të bësh pazar si një minimalist do të thotë t’i bësh vetes këto pyetje para se të blesh gjëra që shpesh nuk gjejnë përdorim të përditshëm në shtëpinë tonë, dhe përveç që pozicionohen si shpenzim i panevojshëm, zënë edhe hapsirë dhe dhe e ngarkojnë ambientin ku ne jetojmë:

A kam vërtetë nevojë për këtë (produkt)?

A kam ndonjë të ngjashëm me të në shtëpi?

A do ta përdor këtë shpesh?

A përputhet me gjërat që i kam tashmë?

A e dua?

A do ta dua edhe më vonë? 

Forma  minimaliste e jetesës është një mënyrë pothuajse e përkryer për të kursyer para.  Shpesh, të kursesh para, nuk do të thotë se sa ke mënjanuar nga paga, por sa ke shpenzuar nga ajo që ke fituar dhe për çfarë.  Njerëzit mendojnë se të blejnë vazhdimisht gjëra, i bën ata të lumtur. Por, ajo që në fund ndodh, është një tollovi e madhe në shtëpi dhe një shpenzim i panevojshëm dhe i pamenduar mirë.

Minimalizmi, si një mënyrë jetese, nuk kërkon (ose madje nuk fton) njerëzit që të ndalojnë shpenzimin e parave tërësisht. Në vend të kësaj, ai thjesht ruan paratë e tyre prej ndjekjeve të panevojshme (JOSHUA BECKER). Sepse, ekziston një mendim jo i drejtë në lidhje me këtë se, sikur të gjithë të jetonim si minimalistë, ekonomia do të shkonte në kolaps. Në fakt, mënyra minimaliste e jetesës do të ndikonte shumë në shpërndarjen më të drejtë të prodhimit, realisht, do ta zvogëlonte mbiprodhimin në një pjesë të shoqërisë, duke ndikuar në largimin e prirjeve tona për të kërkuar lumturinë në konsumin e tepërt që rrjedhimisht krijon lakminë, xhelozinë, mungesën e ndjeshmërisë, dëshirën për të bërë përshtypje, etj.  

Shumë nga njerëzit konusmimin e tepërt e përdorin për të kompenzuar mangësitë personale, por ky nuk është një faktor që do t’i kënaqë pritshmëritë e tyre, sepse, do t’i detyrojë kështu të shpenzojnë e të shpenzojnë edhe më shumë. 

Të blesh gjërat e shtrenjta në vend të gjërave të nevojshme:

Sot, shumë njerëz jetojnë në ver\ionin modern të "jetës strikte apo jetës së zellshme", e cila më së miri mund të quhet "jeta stresuese". Në vend të përjetimit të kënaqësive, kjo shndërrohet në tronditje psikologjike. Njerëzit janë të varur nga tavolinat e tyre, orenditë e tyre, smartfonët e tyre, çdo herë vetëm një hap larg dozës së ardhshme të ankthit. Ata konsumohen nga karrierat dhe punët që nuk i pëlqejnë, për të blerë gjëra që nuk u nevojiten, për të impresionuar njerëzit të cilëve nuk u intereson. Të shpenzosh për gjëra të domosdoshme dhe që kanë rëndësi për ty, në fund të fundit, është më zbavitëse sesa të blesh gjëra të shtrenjta për t’u lënë përshtypje të tjerëve.

Në fund, minimalizmi nuk është një religjion. Ajo është vetëm një mënyrë e theshtë jetese, që ka përparësitë e veta, dhe ti mund të zgjedhësh të jetosh ndryshe në çdo kohë dhe në çdo situatë.