Ditën e sotme kudo në media ka qarkulluar deklarata e Bebe Rexhës e cila pranoi  publikisht për herë të parë se vuan nga çregullimi bipolar.

Për ata që ndoshta nuk e dinë çrregullimi bipolar, i njohur më parë si depresioni maniak, është një çrregullim mendor që shkakton periudha depresioni dhe periudha të humorit anormal, mania ose hipomania.

Pra ka raste kur personat në fjalë janë jashtëzakonisht të lumtur dhe energjikë për të bërë gjithçka ndërkohë që papritur pa asnjë shkak në një moment të dytë bien në gjendje depresioni, kanë ndjesi të keqe të humorit dhe luhatje të theksuar të tij.

Bebe Rexha pranoi se së fundmi ishte diagnostikuar me këtë sëmundje dhe për këtë nuk donte që ti vinte keq askujt por shpresonte që fansat e saj ta pranonin ashtu siç ishte.

Por a e dini se sa personazhe të tjerë vuajnë nga bipolariteti dhe i’a kanë dalë të përballojnë gjendjen e tyre?

Mariah Carey

Mariah Carey është një prej tyre. Ajo u diagnostrikua me çrregullim bipolar në vitin 2001.  Në një intervistë për revistën “People” ajo u shpreh se për një kohë të gjatë jetoi në izolim dhe mohim  derisa më në fund iu nënshtrua një trajtimi. “Jetoja duke e mohuar faktin, në izolim dhe me frikën e vazhdueshme se dikush do të më ekspozonte. Ishte një barrë shumë e rëndë për t’u mbajtur dhe unë nuk mund ta bëja më. Kërkova të kurohem, e rrethova veten me njerëz pozitivë dhe iu riktheva pasionit tim, muzikës. Për vite me radhë mendova se vuaja nga çrregullime të mëdha gjumi, por nuk nuk bëhej fjalë për pagjumësi normale. Irritohesha shumë shpejt dhe jetoja me frikën e vazhdueshme se mos zhgënjeja njerëzit e afërt. Rezultoi se vuaja nga një lloj manie. Në atë gjendje mund të godisja murin.”

Demi Lovato

Demi Lovato u diagnostikua me çrregullim bipolar në vitin 2010 pasi u shtrua në një klinikë për varësinë ndaj drogërave dhe dëmin që i bënte vetes.

“Për ata që nuk e dinë, unë jam bipolare dhe ndjehem krenare që po flas për këtë gjë tani. Të jesh bipolare do të thotë të kesh çrregullime të humorit, të gjendjes emocionale, një fazë që mund të përshkruhet edhe si depresion. Dua të ndihmoj të tjerët që vuajnë nga e njëjta gjë.”

Catherine Zeta-Jones

Catherine Zeta-Jones njihet si një nga aktoret më të bukura në Hollywood, një yll që ka marrë disa nominime për Golden Globes. Martesa e saj me Michael Douglas  që në vitin 2000 rezultoi në një farë mënyre edhe si shkak për çrregullimin e saj.

Douglas u diagnostikua me kancer në gjuhë dhe i gjithë stresi për përballjen e sëmundjes së tij  bëri që aktorja të kalonte gjendje stresi dhe si pasojë të diagnostikohej edhe me çrregullim bipolar. Aktorja Catherine Zeta Jones, bashkëshortja e yllit tjetër të kinematografisë amerikane, Michael Douglas, u shtrua në një klinikë  në vitin 2011 për të marrë ndihmën e nevojshme.

“Sëmundja është çështje personale dhe jam përpjekur t’a mbaja të fshehtë, sepse njeriu nuk mund të dalë në publik e të thërrasë “Hej, unë vuaj nga çrregullimi bipolar”.

Sinead O’Connor

Sinead O’Connor këngëtarja e njohur irlandeze zbuloi se kishte çrregullim bipolar në vitin 2007.

Ajo vitin e kaluar ka publikuar një video në Facebook, ku shfaqej shumë e dëshpëruar dhe pa dëshirë për të jetuar. Ajo tregoi se po shtynte ditët e saj në një hotel të lirë në New Jersey dhe se vuante nga probleme të shumta.

“Jam tërësisht e vetme. Nuk kam asnjë njeri tjetër në jetë përveç psikiatrit tim, njeriut më të ëmbël në botë, që thotë se unë jam heroi i tij. Dhe kjo është e vetmja gjë që më mban në jetë tani, gjë që është disi patetike.”- u shpreh duke qarë.