Niveli i lartë i edukimit dhe kërkimit shkencor e ndihmon një shtet të orientohet me lehtë drejt zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimit me efikasitet të kapitelit njerëzor dhe burimeve natyrore. Kosova nuk gjendet fare në listën e vendeve me të rajonit me numër të shkencëtarëve. Në anën tjetër, Shqipëria duket se edhe në këtë drejtim është shumë dobët në raport me vendet e Europës por edhe në rajon.

Shqipëria ka numrin më të ulët të personelit në fushën e kërkim-zhvillimit ( R&D) në rajon e për rrjedhojë është e fundit për sa u përket fondeve që ka përfituar nga programi europian Horizon 2020, sipas një studimi të fundit mbi Edukimin dhe Kërkimin në Ballkanin Perëndimor.  Horizon Europe është një nismë 7-vjeçare e Bashkimit Europian për kërkimin shkencor që synon të aplikohet nëpërmjet programit aktual Horizon 2020. Komisioni Europian ka hartuar dhe miratuar një plan për Horizon Europe për të rritur nivelet e shpenzimeve të shkencës së BE nga 50% gjatë viteve 2021-2027.

Të dhënat tregojnë se Serbia ka numrin më të lartë të personelit shkencor në  rajon me rreth 2030 persona për 1 milion banorë. Më pas në renditje vjen Mali i Zi me 847 persona të aktivizuar në R&D për 1 milion banorë, Maqedonia me 754 persona për 1 mln banorë, Bosnja 366 persona për 1 mln banorë dhe e fundit renditet Shqipëria më 262 persona në fushën e kërkim-zhvillimit për 1 mln banorë.

Për rrjedhojë, Shqipëria  renditet e fundit në rajon për fondet që Bashkimi Europian ka vënë për kërkimin shkencor gjatë periudhës 2014-2017.

Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria përfitoi vetëm, 1 9 milionë euro, ndërsa Serbia 60 milionë euro. Maqedonia dhe Bosnja përfituan secila nga 5.3 dhe 3.8 milionë euro.

Studimi vlerëson se kapacitetet e ulëta në infrastrukturën e njësive kërkimore në IAL, institutet, akademitë dhe numri i vogël i kërkuesve shkencorë është një problem i madh me të cilin ballafaqohet Shqipëria.

Ka gjithashtu mungesë të kurrikulave specifike në Institucionet e Arsimit të Lartë që të ofrojnë informacion më të thellë në kërkimet shkencore. Universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore në Shqipëri gjithashtu kanë një mungesë totale infrastrukturore në zhvillimin e shkencës, teksa shihet se mungon edhe infrastruktura e thjeshtë si laboratorët,  zyrat dhe bibliotekat.

Për rrjedhojë në programit Horizon 2020 për periudhën 2014-2017, Shqipëria ka numrin më të vogël të projekteve dhe roli i institucioneve shqiptare në këto projekte është i kufizuar vetëm si pjesëmarrës. Deri tani, nuk ka pasur asnjë projekt të fituar dhe të drejtuar nga institucionet shqiptare. Të dhënat e mësipërme tregojnë se Shqipëria dhe Kosova kanë nivelin më të ulët të absorbimit e fondeve në kuadër të programit Horizon 2020, i cili paraqet një program të pastër kërkimor shkencor.