Luhen sot në mbrëmje dy ndeshjet e tjera çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Në “Old Trafford”, Manchester United do të presë Barcelonën me katalanasit që do të kërkojnë të thyejnë tabunë dhe të regjistrojnë fitoren e parë në “Old Trafford”.

Barcelona vjen në këtë ndeshje pasi e ka vënë kampionatin spanjoll në drejtimin e dëshiruar pas fitores me Atleticon e Madridit dhe mund të përqendrohet totalisht te kjo ndeshje kundër një skuadre si “Djajtë e Kuq” që e kanë ndryshuar fizionominë e tyre me ardhjen në pankinë të Solskjaer.

Në letër, katalanasit duken më të favorizuar, por Manchester United nuk është ekip për t’u nënvlerësuar, për këtë mjafton të shohësh atë çfarë bëri në 1/8 e finaleve ndaj Paris Saint Germain teksa në Paris fitoi 3-1 duke përmbysur fitoren në “Old Trafford” 2-0 të francezëve.

Ndeshja tjetër që do të luhet është ajo mes Ajax dhe Juventus në “Johan Cruyff Arena”. Mund të quhet fare mirë sfida e skuadrave të përmbysjeve duke parë atë çfarë ndodhi në raundin e mëparshëm me holandezët që eliminuan Realin e Madridit dhe Juventusin që kaloi Atleticon. Ajax do të besojë shumë te dy prej talenteve të tij Frenkie De Jong dhe De Ligt për të frenuar kampionët e Italisë që këtë sezon kanë në radhët e tyre dhe Cristiano Ronaldon, ekspertin e Ligës së Kampioneve. Portugezi ditët e fundit i mbajti në ankth tifozët e “Zonjës së Vjetër” për shkak të një dëmtimi të pësuar në ndeshjen me përfaqësuesen e tij, por 34-vjeçari duket se është riaftësuar dhe është përfshirë në listën e futbollistëve të grumbulluar/Top Channel/