Një prej talentëve më të mëdhenj dhe më premtues te Kombëtarja e Kosovës në futboll, po kalon në një periudhë aspak të lehtë në karrierë.
 

Edon Zhegrova nuk po gjen hapësira te skuadra e tij në Belgjikë, Genku, ku po injorohet vazhdimisht nga trajneri, Philippe Clement.

Zhegrova, që ashtu si shumë herë këtë sezon, as në vikendin që lamë pas nuk ishte pjesë e ekipit të Genkut, që mori fitore 2:0 në udhëtim te Eupen në kuadër të ligës belge.

Ai ka munguar në shumicën e ndeshjeve këtë edicion, në Kupë, Europa League e Ligë.

Futbollisti 19-vjeçar, përkundër se nuk po gjen minuta te Genku, në rrjete sociale është mjaft aktiv dhe për dallim nga yjet tjerë të futbollit, shumë prej postimeve nuk kanë të bëjnë fare me klubin e tij.

Por, duket se dalëngadalë ai po fillon të marrë vetën dhe të kuptojë se duhet të punojë shumë për ta bindur trajnerin se meriton më shumë minuta nga janari.

Zhegrova, që shpesh është aktiv në rrjetet sociale, nuk ka postuar asnjë foto në profilin e tij që nga 4 dhjetori, më shumë se 20 ditë, sinjale se dëshiron të përkushtohet më shumë dhe të arrijë atë që gjithmonë ka ëndërruar, të bëhet një lojtar i rëndësishëm në Evropë.