Në secilin nivel të ndeshjes, përpjekja për të neutralizuar sulmet kundërshtare është detyrë e vështirë, derisa mbrojtësit mundohen të bëjnë gjithçka të mundur për t’u futur në kokën e sulmuesit që po e markojnë.

Mbrojtësi i Atletico Madridit, Jose Maria Gimenez mund të jetë më i miri në këtë aspekt.

Derisa po luante kundër Kolumbisë me Uruguain, në shtator të vitit 2013, qendër-mbrojtësi e pati për detyrë ta ndalte Radamel Falcaon, i cili atëkohë ishte në kulmin e karrierës.

Gimenez ishte vetëm 19-vjeçar, por u tregua instrumental në fitoren 2-0 të Kombëtares së tij.

Dhe Falcao rikujton taktikat gjeniale të të riut.

“Nuk po mund të koncentrohesha pasi Gimenez po më çmendte,” tha Falcao.

“Ai më bënte pyetje. Fillimisht, ai më pyeti çfarë veture kisha. Kur fillova t’ia shpjegoja, ai tashmë më kishte ikur dhe po priste të ndalte një krosim.

“Ky ishte vetëm fillimi. Pastaj, ai më pyeti pse flamujt e Ekuadorit, Kolumbisë dhe Venezuelës i kanë ngjyrat e njëjta.

“Pastaj, ai erdhi tek unë dhe më tha se ishte debutimi i tij dhe se ishte shumë i lumtur dhe se do të bënte një tatuazh me datën e ndeshjes, derisa po më pyeste nëse shtatori shqiptohej me ‘s’. Unë humba një shans për të kërcyer në një krosim.“Ai po më çmendte.” Gjeniale nga Gimenez.