Mesfushori shqiptar i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, ka vetëm fjalë të mira për shokët e skuadrës pas fitores 3-1 kundër Burnley, triumf ky që i mban në hap me Manchester Cityn për titull.

Skuadra e Jurgen Kloppit e befasua fillimisht në minutën e 54’, Jack Cork shokoi mysafirët duke realizuar për 1-0. Por, Liverpooli reagoi menjëherë duke shënuar për 1-1 (Milner 62’).

Më pas, në lojë u inkuadruan Roberto Firmino dhe Mohamed Salah të cilët bën diferencën dhe ndihmuan Liverpoolin për të përmbysur rezultatin dhe për të fituar 3-1.

Në këtë ndeshje shënoi edhe Shaqiri, goli i tretë me fanellën e Liverpoolit.

Ky gol u asistua nga bashkëlojtari i tij, Mohamed Salah dhe sipas Shaqirit ky gol e dëshmon se ai është i gatshëm të luajë për gjithçka deri në sekondat e fundit, teksa zbuloi fjalët e Jurgen Kloppit kur ndeshja u bë më e vështirë se që dukej.

“Ai vetëm na tha se ne duhet të përfshihemi më shumë në ndeshje, të luajmë me më shumë gjallëri dhe ta fitojmë topin më shumë sepse shpeshherë ne nuk luanim duke sulmuar, por duke u mbrojtur”, ka thënë Shaqiri.

“Ne nuk ishim të përsosur, por në pjesën e dytë bëmë punë shumë më të mirë dhe arritëm ta menaxhojmë ndeshjen shumë mirë dhe i shënuam tri gola. Duhet të jemi të guximshëm në ndeshje të tilla”.

“Ne e dimë se ne do ta kemi posedimin e topit, por natyrisht, nuk u mbrojtëm mirë. Ata shënuan gol, nuk e di nëse ishte faull në portierin apo jo, por ata vendosën që goli ishte i rregullt. Ne qëndruam të qetë, e menaxhuam ndeshjen dhe në fund e merituam fitoren”.

“Ishte e rëndësishme t’i marrim tre pikët këtu, e dimë se kjo gjë nuk është e thjeshtë, kështu që në fund jemi të lumtur. Është gjithmonë e vështirë të luash këtu, kam luajtur edhe me Stoke këtu dhe ishte një ditë e ftohtë dhe me shi, kështu që nuk ishte një ndeshje e thjeshtë, por ne e merituam fitoren”.

“Ju e patë që në fund të ndeshjes, unë vrapova deri te porta dhe tentova të shënoj gol. Ai [Klopp] kërkon nga unë që ta kem topin dhe unë tentova disa herë të shënoj, por nuk ishte e përsosur, ashtu siç e kërkon trajneri”, shtoi mes tjerash Shaqiri.