Petrit Mazrekaj, boksieri me prejardhje nga Kosova, ka thënë se do ta fitojë meçin kundër djalit të kriminelit serb Arkan, Veljko Raznatovicit.Mazrekaj ka folur të martën në “Imazh” te RTK për meçin e planifikuar për 31 gusht.Ai ka thënë se ftesa e djalit të Arkanit ka ardhur pasi që i kishte rrahur në Serbi tre boksierë serbë, dhe sipas Mazrekajt, ai po pretendon të marrë hak.Ai tha se nuk e njeh edhe aq djalin e Arkanit, por është duke u përgatitur dhe në ring do ta dëshmojë veten.“Unë e fitoj meçin. Nuk kam qejf të flas shumë, por me punë të kallëzoj atë që duhet. Ky është pak më i gjatë se sa unë, por unë e di që goditjen e kam shumë të rëndë. Janë shumë komponentë që duhet të jenë dhe unë mendoj që i kam të gjitha nga pak”, ka thënë ai.“Jam gati më shumë se kurdoherë. Ai (Velko Raznatovic) ka ofenduar shumë para meçit. Po frikohet dhe për këtë arsye po ofendon. Krejt këto po i bën nga frika. Unë nuk e bëj një gjë të tillë. Me ofendimet e tij po tregon se biri i kujt është. Me mua e përfundon karrierën si boksier. Vetëm pas mecit i kam fjalë për të”.Boskieri i Kosovës tha se djali i Arkanit me provokimet që po i bën po përpiqet që ta shtyjë meçin, por sipas tij ai nuk ka ku të ikë pa u përballur në ring. Sipas Mazrekajt, meçi nuk do të luhet në Beograd, por në një vend neutral, qoftë në Gjermani apo Zvicër.“Menaxhmenti i tyre ka kërkuar qe meçi te zhvillohet ne Beograd. Por, unë kam kërkesë edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe shume njerëz të afërt që mos të shkojë në Beograd. Ata kanë kërkuar që edhe në Republikën Serbe të Bosnjës të luhet meçi, mirëpo as atje nuk do te shkojmë. Ne kemi kërkuar qe meçi të luhet në vend neutral. Shembull ne Berlin, në Zvicër në Austri”, shtoi Mazrekaj.Mazrekaj, 28-vjeçar, ka 17 fitore, 13 prej të cilave me nokaut, dhe asnjë humbje që prej debutimit të tij në vitin 2011.