Ndonëse nuk është i njohur në Britaninë e Madhe, të hënën u konfirmua se boksieri shqiptar Shefat Isufi do të përballet me britanikun Billy Joe Saunders.Dueli në fjalë do të zhvillohet të shtunën e 13 prillit në “Wembley” në Londër, që është i vlefshëm për titullin e kampionit të botës WBO në kuadër të peshave super të mesme.Isufi është shqiptar i Bujanocit dhe ka lindur në Tërnoc të Madh, ndërsa karriera e tij ka qenë e përcjellë me suksese të shumta.Nga 32 duele të zhvilluara 29-vjeçari i ka fituar 27 prej tyre, ka tri humbje dhe dy barazime.Boksieri shqiptar përfaqëson Gjermaninë në arenën ndërkombëtare, teksa në kategorinë e tij në ranglistën botërore të përbërë nga 1285 boksierë atij i takon vendi i 33-të.Të hënën mediet britanike zyrtarizuan lajmin se Shefat Isufi do të jetë kundërshtari i radhës për Billy Joe Saunders, por mediumi “The Sun” ia kishte huq me të madhe kur kishte treguar për prejardhjen e boksierit shqiptar.

Mediumi në fjalë e kishte përshkruar Isufin si “serb” me nënshtetësi gjermane dhe për këtë ai ka për të thënë diçka.

“Unë nuk jam serb, por jam shqiptar nga Lugina e Preshevës. Shpresoj që shumë shpejt ta kem nënshtetësinë shqiptare, që edhe bota ta dijë se jam shqiptar. Por, unë në çdo duel që kam zhvilluar deri më tani jam prezantuar si shqiptar i vërtetë dhe kështu do të jetë gjithmonë”, tha Shefat Isufi për Zërin.

Duelin e fundit Isufi e ka zhvilluar në Mynih, ku përballë vetes ka pasur belgun Mohamed El Achi, të cilën e ka mposhtur lehtësisht.