Facebook ka bllokuar një rrjet të medieve sociale në Filipine për “sjellje të koordinuar joautentike” . Këtë hap të  pazakontë e bëri pas hetimeve se një biznesmen kishte menaxhuar fushatën zgjedhore të Presidentit në 2016.

Facebook tha se hetimi i tij zbuloi se aktiviteti online ishte i lidhur me një rrjet të organizuar nga një ish-ekzekutiv i “Omnicom Media Group Philippines”, i cili e identifikoi atë si Nic Gabunada. Në total janë bllokuar 200 faqe të grupeve dhe llogarive në Facebook e Instagram.

“Individët që qëndronin pas këtij aktiviteti përdorën një kombinim të llogarive autentike dhe të rreme për të shpërndarë përmbajtje në shumë faqe dhe grupe”, tha Nathaniel Gleicher, kreu i Politikave të Kibernetikës në Facebook, në një deklaratë.

“Ata shpesh publikuan lajme lokale dhe politike, duke përfshirë tema të tilla si zgjedhjet e ardhshme, azhurnimet dhe pikëpamjet e kandidatëve, sjelljet e dyshuara të kundërshtarëve politikë dhe ngjarjet e diskutueshme që supozoheshin të ndodhin gjatë administratave të mëparshme”, tha ai.

Gabunada i tha ABS-CBN News se ishte “fatkeqësi” që Facebook e akuzoi atë për ndërhyrje me faqet dhe llogaritë e diskutueshme.

“Nëse ata më bllokojnë faqet e mia personale në Facebook dhe Instagram, është e drejta e tyre. Nga ana tjetër, ata duhet të kuptojnë se nuk po e bëj për hir të asaj që ata më akuzojnë, “tha Gabunada.

Në një intervistë me faqen e lajmeve Rappler në maj 2016, menjëherë pas zgjedhjes së presidentit Rodrigo Duterte, Gabunada tha se kishte dalë vullnetar për të ndihmuar në udhëheqjen e ekipit social të Dutertes gjatë fushatës së tij.

Zyra e Operacioneve të Komunikimeve Presidenciale (PCOO) Ndihmës Sekretarja Ana Marie Banaag tha se Duterte ka vetëm një grup komunikues, PCOO, dhe Gabunada nuk është pjesë e saj. Filipinet duhet të mbajnë zgjedhje afatmesme në maj të vitit 2019, të cilat konsiderohen si referendum për administratën e Duterte-s/Top Channel